Shehi: Kujdes nga Lushnja, të mbyllim sa më shpejt llogaritë me titullin

E para me të fundit. Skënderbeu pret në shtëpi Lushnjën, në një ndeshje që në letër nuk ka histori, duke u nisur nga cilësia e kontingjentit, pozicionet në renditje dhe ecuria. Megjithatë nënvlerësimi në raste të tilla mund të rezultojë fatal. Ky është paralajmërimi i kapitenit Orges Shehi, të cilin eksperienca e madhe nuk e lejon t’i mendojë ndeshjet si të fituara ende pa luajtur.

“Është ndeshje e ekipeve të skajeve të kundërta. E nisim në dishezë, por në të tilla kushte mund të bëhet e vështirë dhe rrezikon ta pësosh”, shprehet kapiteni i korçarëve.

Shehi kujton edhe humbjen e 16 prillit 2016, kur përpara dy sezoneve korçarët u mposhtën në shtëpi nga Tërbuni, që kishte rënë nga kategoria. Sipas gardianit vazhdimësia e fitoreve do të shërbejë për ta mbyllur sa më shpejt garën për titullin.

“E kemi në mendje atë ndeshje, sepse nga humbja e përqendrimit e pëson. Përsa i takon renditjes, duke pasur diferencë të madhe pikësh nga ndjekësit dhe kjo të heq disi emocionin. Megjithatë synimi ynë ka qenë ta mbyllnim sa më shpejt garën”, deklaroi Orges Shehi.

Kapiteni i Skënderbeut komentoi edhe sezonin fantastik të skuadrës, ku shpreh bindjen se një ecuri kaq e mirë në kampionat dhe Europë është e vështirë të realizohet nga ekipet e tjera.

“Diferenca e pikëve është fryt i punës fantastike. Një sezon si ky i Skënderbeut, duke përfshirë edhe paraqitjet në Europë, rrallë ekipe mund ta realizojnë”, tha Shehi./supersport.al/