Pacult: Bakajn s’e mbanim dot pa dëshirën e tij, me Teutën duam fitoren

Peter Pacult priste që skuadra e tij të vijonte sezonin në një tjetër stadium, por duket që drejtuesit e klubit janë dorëzuar me skuadrën që do të vijojë të luajë ndeshjet shtëpiake në “Zeqir Ymeri”. Ndaj Teutës është sfida e radhës në impiantin e amortizuar, teksa austriaku kërkon të driblojë kurreshtjen e gazetarëve për këtë vendim të klubit.

Jam njeriu i gabuar për t’u përgjigjur rreth stadiumit. Nuk dua të diskutoj për fushën, do luajmë në “Zeqir Ymeri” deri në fund të sezonit, të jetë si të jetë fusha e lojës.

Përballë është Teuta e cila luan për mbijetesë, një kudnërshtar që vjen me moralin e lartë pas atij barazimi në sekondat e fundit ndaj Partizanit fundjavën e shkuar. Trajneri Peter Pakult bën një krahasim me atë që u pa në sfidën ndaj Lushnjës, duke evidentuar që gara është e fortë, pavarësisht kundërshtarit që ke përballë.

Javën e kaluar e pamë që skuadrat e renditura në fund nuk dorëzohen. E dimë që Teuta nuk vjen për t’u mundur, por për të marrë maksimumin. Mendoj që do të tentojnë të luajnë në kundërsulm. Jemi stërvitur për t’u përballur si duhet me Teutën dhe do të hyjmë me besimin për të fituar ndeshjen.

Por si do të jetë Kukësi pa goleadorin Elis Bakaj?

Duhet të merremi me të ardhmen dhe të lëmë pas të shkuarën. Bakaj ka kontribuuar për skuadrën, por ne vazhdojmë përpara. Më e mira do të ishte që ta mbanim, por në kushte të tilla të mbash një lojtar pa dëshirë nuk vlen. Të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm dhe për mua si trajner më shumë vlerë ka ekipi sesa individët./supersport.al/